Ministria e Arsimit dhe Sportit

Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot me 75 vota pro disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për sistemin arsimor parauniversitar”.
Në fjalën e saj Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi tha se ky ligj do të shërbejë në rritjen e cilësisë në arsimin parauniversitar.

“Mirënjohje për të gjithë ata që dhanë kontribut në përmirësimin e Ligjit për Arsimin Parauniversitar, duke i dhënë zgjidhje shumë problematikave në sistemin tonë arsimor, por edhe që na përafron më shumë me legjislacionin e Bashkimit Evropian!” – thekson ministrja në një postim në rrjete sociale, duke shtuar se sfida e përbashkët është zbatimi me korrektësi i ligjit, së bashku me mësuesit dhe të gjithë punonjësit e institucioneve tona arsimore, për të rritur cilësinë dhe për të përgatitur qytetarët e aftë dhe të denjë për shoqërinë dhe të ardhmen e vendit.

Një nga ndryshimet ka të bëjë me transformimin e shkollave të arsimit special në qendra burimore, sipas modeleve më të mira të rajonit dhe BE-së, për më shumë mbështetje për nxënësit me aftësi ndryshe është një nga shkaqet kryesore të ndryshimit të ligjit.

“Ne paralelisht me ligjin kemi punuar për të hartuar strukturën, mënyrën e funksionimit të këtyre qendrave burimore, pikërisht për të bërë më të mirën për nxënësit me aftësi ndryshe. Ne kemi 7 shkolla speciale në te gjithë vendin dhe dy Institute, Instituti i Nxënësve që nuk Dëgjojnë dhe Instituti i Nxënësve që nuk Shikojnë. Pikërisht këto dy Institute do të jenë të parat që do të kthehen në qendra burimore, e më pas modelet e tyre do të shtrihen në të gjithë vendin. Kemi bërë deri tani hapa të mirë, pozitiv edhe për sa i përket kurrikulës së këtyre shkollave, edhe për sa i takon shkollës së mesme për nxënësit që nuk dëgjojnë, që deri më sot nuk ka patur, por për fat të mirë, ne punuam shumë dhe këtë vit është hera e parë që nxënësit që nuk dëgjojnë kur mbarojnë klasën 9-të nuk janë të detyruar më të rrinë në shtëpi sepse nuk ka më arsimim për ta, por vazhdojnë arsimin profesional, në mënyrë që të marrin një profesion dhe nesër të jene të aftë për veten e tyre dhe pse jo të japin kontribut për shoqërinë.” – tha Ministrja Kushi.

Një ndryshim tjetër mjaft i rëndësishëm që vjen me këtë ligj të ndryshuar, sipas Ministres Kushi është moslejimi i punësimit në shkolla të personave të dënuar për vepra penale ndaj të miturve apo institucioneve arsimore, pavarësisht rehabilitimit të tyre.

“Së dyti ligji i ndalon personat që kanë kryer vepra penale, qoftë ndaj të miturve apo ndaj institucioneve arsimore ose vepra penale që cenojnë figurën e mësuesit apo të gjithë ata që do të jenë pjesë e regjistrit kombëtar të të dënuarve për krime seksuale, nuk do të kenë mundësi të punojnë në institucionet tona arsimore, as si mësues dhe në asnjë pozicion tjetër edhe pas rehabilitimit të tyre.”

Një tjetër pikë e rëndësishme është edhe ngritja e një strukture në çdo ZVA për mësuesit në dispozicion, të cilët do t’u vijnë në ndihmë shkollave për nevojat e tyre kur ka mungesa të mësuesve;

Pika të tjera që vijnë me ndryshime janë edhe:
• E drejta e regjistrimit në klasë të parë për fëmijët që mbushin moshën 6 vjeç deri më datën 31 dhjetor të atij viti, me kërkesë të prindërve;
• Dhënia e statusit të veçantë për shkollat e arsimit të orientuar, si dhe arsimimi dhe promovimi i talenteve në arsimin bazë, jo vetëm në shkollat e orientuara, por edhe në shkollat normale përmes klasave të orientuara;
• Përcaktimi i qartë i përgjegjësive për monitorimin, vlerësimin dhe inspektimin e institucioneve arsimore;
• Rregullimi ligjor i institucioneve plotësuese private që ofrojnë shërbime për nxënësit pas orarit mësimor.

 

https://www.facebook.com/kushievis/posts/pfbid0erWa8Caj5wiEQ7Abwauc39vtrSHprqVcU3Yxm2ANXbk1eH5YkmpPeLhpkyWCsM9il