Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, priti në një takim Gersi Trokën, kampionin botëror të notit për Shqipërinë në Lojërat Olimpike Speciale në Berlin 2023, si dhe Adi Sulën, i cili fitoi 2 medalje argjendi dhe 2 medalje bronzi në këto lojëra.

Ministrja në një postim në rrjetet sociale u shpreh se në datën 2 tetor këtë vit Gersi do të fillojë studimet e larta në Universitetin e Sporteve të Tiranës, dhe këtë vit shkollor ai do të jetë edhe deputet nderi i Parlamentit të Nxënësve në legjislaturën e tretë 2023 – 2025.

POSTIMI I PLOTË I MINISTRES KUSHI

Sot dua të ndaj me ju dy lajme shumë të mira për Gersi Trokën, kampionin botëror të notit që na bëri të gjithëve krenarë me medaljen e parë të arit për Shqipërinë në Lojërat Olimpike Speciale në Berlin 2023.

Në datën 2 tetor këtë vit Gersi do të fillojë studimet e larta në Universitetin e Sporteve të Tiranës, duke realizuar një nga ëndrrat e tij më të mëdha për të cilën është përpjekur kaq shumë dhe që e meriton plotësisht.

Gjithashtu këtë vit shkollor, ai do të jetë edhe deputet i Parlamentit të Nxënësve në legjislaturën e tretë 2023 – 2025, duke sjellë në MAS zërin e shumë nxënësve me aftësi ndryshe.

Mbështetjen tonë do ta ketë edhe peshëngritësi Adi Sula, i cili fitoi 2 medalje argjendi dhe 2 medalje bronzi në Lojërat Olimpike Speciale, e po ashtu edhe të gjithë nxënësit apo studentët me aftësi ndryshe, sepse tashmë kemi nisur punën për përfshirjen e “Special Olympics” dhe “Paralympics” në Ligjin për Sportin.

#KrenarePërSportistëtTanë

 

https://fb.watch/lWtWrjpYZy/?mibextid=I6gGtw